Në vijim të bashkëpunimit të Drejtuesve të Fakultetit të Mjekësisë Dentare me Universitetin e Gjenevës, në partneritet me Klinikën Universitare të Mjekësisë Dentare në Universitetin e Gjenevës, falë iniciativës dhe kontributit të Dr. Giovanni Tommaso Rocca dhe Dr. Helidon Kongo, u ofrua mundësia e ndjekjes së Masterit të Estetikës për një periudhë një javore, në CUMD, për tre studente të viteve të larta të Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Tiranë.
Studentet Saida Neziraj, Gerelda Doraci dhe Erisa Shameti, zhvilluan një observership në Klinikën Universitare të Mjekësisë Dentare (CUMD) të Gjenevës. Në këtë observership ato patën mundësinë të asistonin e të ndiqnin raste të ndryshme klinike në Departamentin e Masterit në Dentistrinë Estetike Mikroinvazive (MAS) dhe në Departamentin e Masterit të Integruar në Stomatologji (undergraduate). Mbështetja dhe ndihma nga pedagogët dhe stafi i Universitetit të Gjenevës ka qenë maksimale. Gjatë kësaj periudhe studentet e FMD ndoqën leksione të fushës së Dentistrisë Estetike nga Dr. Giovanni Tommaso Rocca dhe të implantologjisë nga Dr. Mark Bischof.
Një eksperiencë mbresëlënëse dhe me shumë përfitim në sferën profesionale për studentet tona!
Një mundësi e mrekullueshme për t’u njohur me standartet më të larta të stomatologjisë botërore!
Faleminderit miq të mi, Dr. Giovanni Tommaso Rocca dhe Dr. Helidon Kongo!
Studentë nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare ndjekin kursin Master të Estetikës në Klinikën e Universitetit të Gjenevës
