Të nderuar kolegë,
Të nderuar studentë,
Dëshirojmë t′ju njoftojmë se bazuar në Vendimin Nr. 6, datë 10.06.2024, Nr. 936/1 Prot. të Bordit të Administrimit të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), mbi “MIRATIMIN E FINANCIMIT TË PROJEKTEVE FITUESE TË PROGRAMIT TË KËRKIMIT DHE ZHVILLIMIT (PKKZH) PËR VITIN 2024-2025”, është shpallur fitues projekti me titull “Vlerësimi i punimeve protetike totale të lëvizshme të përgatitura nëpërmjet masës terciare përkundrejt metodës konvencionale”, me Drejtues Prof. Dr. Edit Xhajanka.
Qëllimi i studimit është përcaktimi i efikasitetit të përdorimit të masës piezografike (terciare) në protezat totale, sidomos në nofulla të poshtme të vogla dhe atrofi të klasës së tretë. Gjithashtu, qëllim i studimit është përcaktimi i hapësirës neutrale të ekuilibrit protetik në mënyrë funksionale tek pacientët (nëpërmjet metodës fonetike dhe lëvizjeve funksionale) dhe respektimi i saj në konstruktimin e protezës totale.
Objektivat e projektit:
-Trajtimi i pacientëve edentulozë nëpërmjet konstruktimit të protezave me teknikën tradicionale dhe nëpërmjet teknikës së masës terciare.
-Konstruktimi i protezave me qëndrueshmëri më të lartë dimensionale, me retension më të lartë, me dekubituese me frekuencë më të vogël, me komfort më të madh për pacientët.
-Krahasimi i dy metodave, vlerësimi i avantazheve dhe dizavantazheve për secilin grup.
-Përcaktimi i efikasitetit të përdorimit të piezografisë në arritjen e qëndrueshmërisë dhe retensionit të protezave totale.
-Trajnimi i studentëve, mjekëve stomatologë, studentëve në proçes specializimi dhe doktorature, mbi metodikën, rezultatet dhe konkluzionet e studimit.
-Njohja e rezultateve dhe konkluzioneve të studimit nëpërmjet prezantimeve në konferenca dhe publikimit të artikujve në revista shkencore.

