Në datat 9 – 13 dhjetor, përfaqësues të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Tiranë, ju bashkuan në kuadër të programit Erasmus+, për shkëmbimin akademik në mësimdhënie, Universitetit të Kraioves, Rumani.
Prof. Asoc. Silvana Bara, Prof. Asoc. Rosela Xhemnica, Prof. Asoc. Gerta Kacani dhe Dr. Eriselda Simoni, patën mundësinë të vizitonin departamentet e Universitetit dhe të shkëmbenin përvojat akademike dhe klinike.
Qëllimi i këtij aktiviteti siç theksoi në fjalën e saj Prof. Asoc. Silvana Bara, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë Dentare është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe promovimi i shkëmbimit të njohurive dhe përvojave akademike.
Gjatë vizitës, u zhvilluan një sërë takimesh me kolegët e Universitetit të Kraioves, Zv. Rektorin, Prof. Florin Burada dhe Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Prof. Adrian Camen, ku u diskutuan ide për zhvillimin e programeve të përbashkëta akademike, mundësitë për projekte kërkimore dhe nxitjen e shkëmbimeve studentore.
Gjithashtu u organizuan leksione dhe aktivitete interaktive me studentët dhe stafin e Universitetit të Kraiovës, duke kontribuar në krijimin e një dialogu akademik ndërkulturor.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndëruniversitare dhe konsolidimit të mobilitetit ndërkombëtar, për ngritjen e standardeve në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.














