Terapia stomatologjike në vitin 1959 ishte përfshirë në një katedër të vetme në të gjithë Sistemin e Stomatologjisë. Ardhja e pedagogëve të rinj: Dr. Zenel Kokomiri, Dr. Vasil Cakuli dhe Dr. Pano Lulo, bëri që në vitin 1964 të formohet katedra e “Terapisë Stomatologjike”, e drejtuar deri në vitin 1979 nga Docent Xhevdet Asllani. Nga viti 1979 deri në vitet 2000, kjo katedër u drejtua nga Prof. Pavli Kongo. Pas këtij viti kjo katedër u shkri si dhe funksionoi si seksion i drejtuar nga Prof. Pavli Kongo. Nga viti 2004, Shërbimi i Terapisë Stomatologjike, u drejtua nga Prof. Diana Brovina dhe më pas nga Prof. Lindita Xhemnica (Rusi).
Pedagogët efektivë të shërbimit të Terapisë Stomatologjike nga viti 1964 dhe deri më tani janë si më poshtë: Docent Xhevdet Asllani, Dr. Shk. Zenel Kokomiri, Dr. Vasil Cakuli, Prof. Pavli Kongo, Prof. Diana Brovina, Dr. Shk. Trëndelina Fico, Dr. Qemal Jashari, Dr. Pajo Shyti, Dr. Shk. Qemal Jashari, Dr. Shazie Krifca, Prof. Lindita Xhemnica, Prof. Adem Alushi, Prof. Ass. Besnik Gavazi, Prof. Rozarka Budina, Dr. Dorina Sulo, Prof.Ass. Ardita Aliko, Prof.Ass.Etleva Droboniku, Prof.Ass.Dorian Hysi, Dr. Enida Petro.
Aktualisht, në këtë departament përfshihen lëndë paraklinike dhe klinike të rëndësishme si: Terapi Paraklinike, Dentistri Preventive, Dentistri Konservative, Dentistri në Komunitet, Endodonti, Periodontologji, Mjekësi Orale dhe Dentistri Pediatrike. Këto lëndë zhvillohen në ciklin e integruar të studimit (Master në Stomatologji) nga viti i II-të deri në vitin e V-të.
Ky departament ofron edhe ciklin e tretë të studimeve pasuniversitare në “Dentistri Pediatrike” dhe studimet e Doktoraturës. Stafi akademik përbëhet nga 7 pedagogë me kohë të plotë, 18 Pedagogë me kohë të pjesshme dhe një laborant mësimor.
Procesi mësimor përfshin pjesën teorike dhe klinike, e cila zhvillohet në bashkëpunim me Klinikën Stomatologjike Universitare dhe me stafin ndihmës të saj, të përbërë nga mjekë ordinatorë dhe infermierë.
Specializimet pasuniversitare në këtë shërbim kanë filluar nga vitet 1968 dhe kanë vazhduar deri më 1990, për të rifilluar përsëri në vitet 2003, duke u hapur kurse specializimi në çdo dy vite. Nga viti 2003 e në vazhdim numri i specialistëve në këtë degë të rëndësishme të stomatologjisë ka ardhur në rritje dhe në total janë specializuar mbi 50 mjekë stomatologë nga të gjitha rrethet e vendit në specialitetet “Terapi dhe Endodonti Sstomatologjike”, ndërsa në “Pedodonti” janë specializuar rreth 20 mjekë stomatologë.
Veprimtaria botuese: Nga stafi i pedagogëve të Departamentit të “Terapisë Stomatologjike” që nga viti 2002 e deri më sot janë botuar afro 200 artikuj shkencore në Revistën Stomatologjike Shqiptare, Revistën Apollonia (Shkup), Revistën Stomatologjike Ballkanike, si dhe në revista të tjera me faktor impakti të ndryshëm.
Veprimtaria kërkimore –shkencore: Kjo veprimtari ka filluar në vitet 1969. Si bazë e saj në shërbimin e Terapisë Stomatologjike kanë shërbyer projektet e doktoraturave të realizuara në mbrojtjen e temave nga pedagogët e lartpërmendur. Më të spikatura janë punimet dhe praktikat e zbatuara në metodën e kondensimit lateral, mjekimi i periodontiteve apikale kronike me drenim apikal etj. Në vitet e fundit është realizuar projekti në lidhje me aplikimet e fluorit në parandalimin e kariesit dentar. Ky projekt u mbështet nga Banka Botërore, Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë, duke patur një ndikim kombëtar në të ardhmen e afërt në brezin 0-18 vjeç. Nënspecialiete të tjera të Departamentit të Terapisë Stomatologjike si: Periodontologjia, Endodontia dhe Sëmundjet Patologjike Orale, Mjekësia Orale, kanë zbatuar në praktikën klinike një sërë metodash të reja të trajtimit si mjekimi i periodontiteve apikale kronike, aplikimi citologjik dhe trajtimet endodontike të fëmijët dhe adultët. Studimet kërkimore shkencore në këtë departament janë të karakterit epidemiologjik, kreativo-profilaktik dhe estetik.