Të dashur studentë të Fakultetit të Mjekësisë Dentare,
Ndihem e gëzuar dhe e nderuar t’ju përshëndes në emër të stafit të Fakultetit të Mjekësisë Dentare dhe t’ju uroj fillim të mbarë të studimeve dhe rrugëtim të suksesshëm në profesionin e zgjedhur!
Ju takon JU që, pas një ndërprerje prej më shumë se një viti, t`i riktheni auditorëve tanë gjallërinë, mësimin interaktiv, leksionet plot jetë; të na riktheni ne pedagogëve kënaqësinë e komunikimit dhe ndjenjën e bukur të sodisfaksionit kur JU transmetojmë dije dhe shkencë!
Vlerësoj tek JU faktin që jeni ekselenca e maturës shtetërore, e brezit të maturantëve që u detyruan të përjetojnë sfidën e mësimit online dhe të kurorëzojnë me sukses ëndrrën e tyre edhe me këtë mënyrë të re të të mësuarit.
Jeni pikërisht ky kontigjent që bashkë me ne, në vijim, do të kemi përgjegjësinë e madhe të sfidojmë vështirësitë e Pandemisë, duke krijuar bashkërisht mundësinë e zhvillimit të mësimit fizik, në kushtet e një mbrojtjeje maksimale, me përgjegjshmëri, ndërgjegje dhe korrektesë nga të gjithë ne.
Dhe kam shumë besim se do t`ja dalim!!!
Shpesh ndihemi mirë kur dëgjojmë që një dentist është artist!
Sigurisht që është!
Por të mos harrojmë se së pari një dentist është MJEK, pra duhet të jetë shumë i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm; një Dentist është shkencëtar, sepse nuk mund të krijojë diçka të bukur, pa përvetësuar të rejat e shkencës dhe inovacionet.
Sot flitet për dentistrinë si një profesion që shkon drejt perfeksionit, drejt dixhitalizimit, drejt arritjeve pothuajse të pa imagjinueshme rreth 20 vjet më parë!
Kështu që vullneti, sakrifica, puna, netët mbi libra, lodhja dhe investimi për profesionin, do të bashkëngjiten me talentin, prirjen për të bukurën, artin e ngjyrës dhe të formës, dhe shkencëtari dhe mjeku do të bëhen njësh me artistin!
Vullneti, sakrifica dhe puna do të ndërthuren me energjitë tuaja rinore, me iniciativën, optimizmin, dhe do t`JU prijnë për të krijuar figurën e plotë të mjekut, të nisur SOT me BETIMIN E HIPOKRATIT dhe BLUZËN E BARDHË, si simbole mjaft domethënëse të profesionit tuaj!
Në këto vite jete studentore JU kërkoj të jeni krah nesh dhe JU premtoj se ne pedagogët dhe çdo pjesëtar i stafit të FMD do të jemi gjithnjë krah JUSH, për të arritur më të mirën, për të qenë bashkëudhëtarë të denjë në arritjen e misionit madhor të Universitetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Mjekësisë Dentare!
JU uroj shumë suksese dhe mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dhe dinjitoz dhe JU përshëndes përzemërsisht!
DEKANE e Fakultetit të Mjekësisë Dentare
Prof. Asoc. EDIT XHAJANKA