BIBLIOTEKA , VENDI KU DIJA MERR EMËR
Pak histori rreth bibliotekës
Historia është pjesë e pandashme e çdo institucioni. Ajo është dëshmitare e gjithë rrugëtimit që një institucion ka bërë përgjatë gjithë ekzistencës së tij. Kjo histori që të trashëgohet duhet shkruar në libra, e më pas librat duhen ruajtur me kujdes e fanatizëm që të mos zhduken, e bashkë më to edhe historia e një institucioni. Njerëzit krijuan bibliotekat, me qëllim që historia të mbetet e shkruar dhe e gjallë. Një shembull i kësaj përkujdesjeje është Biblioteka e Fakultetit të Mjekësisë Dentare. Fakulteti i Mjekësisë Dentare u krijua në vitin 2013. Në funksion të zhvillimit të dijeve, si çdo fakultet tjetër ai krijoi bibliotekën e tij. Faktor mjaft i rëndësishëm i pasurimit të koleksionit bibliotekar janë dhurimet që mjekët stomatologë kanë bërë ndër vite për bibliotekën. Prej pak muajsh Dekanati i FMD-së lëvroi një fond të konsiderueshëm për blerjen e 43 titujve të rinj, në funksion të nxitjes së proçesit mësimor, si dhe kërkesës për dije të studentëve.
Mënyra e organizimit të bibliotekës
Biblioteka Shkencore e Fakultetit të Mjekësisë Dentare ka një fond prej 200 tituj librash dhe periodikësh. Librat janë të sistemuara sipas disiplinave ku ato bëjnë pjesë. Pjesa më e madhe e tyre janë libra në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaj, kryesisht anglisht, gjermanisht, italisht. Vetëm 30 tituj janë periodikë. Këtu hyjnë Revista Stomatologjike Shqiptare, botim që prej vitit 1990, si dhe revista nga Shoqatat Dentare Europiane. Biblioteka ofron shërbim profesional dhe ndihmon me orientime dhe sugjerime lexuesit e saj për zgjedhjen e literaturës që ju duhet përgjatë studimeve dhe punës së tyre kërkimore. Biblioteka Shkencore e FMD-së ka rreth 500 anëtarë (studentë, pedagogë dhe mjekë stomatologë). Ata mund të anëtarësohen në bibliotekë në bazë të plotësimit të një dokumentacioni , për një periudhë 1 vjeçare.
Mënyra e funksionimit të bibliotekës
Biblioteka ka një sallë leximi prej 30 vendesh , e cila mund të shfrytëzohet nga studentët nga e hëna në të premte sipas një orari të përcaktuar. Prej pak muajsh është hartuar lista e plotë e njësive bibliotekare, e cila mund të aksesohet edhe në faqen e web-it të Fakultetit te Mjekësisë Dentare. Aktualisht biblioteka nuk e huazon materialin bibliotekar, per shkak të numrit të vogël të kopjeve të literaturës.