Katedra e Kirurgjisë Stomatologjike është formuar në vitin 1964 dhe deri në vitin 1989 është drejtuar nga Prof.Dhori Pojani. Nga viti 1989 deri në vitin 2000, kjo katedër është drejtuar nga Prof.Samedin Gjini . Nga viti 2000 deri në ditët e sotme, është drejtuar dhe vazhdon të drejtohet nga Prof.Ramazan Isufi.
Ky departament ka funksionuar në bazë të dy drejtimeve kryesore :
- Shërbimi Spitalor në kuadrin e QSUT “Nënë Tereza”
- Shërbimi ambulator në kuadrin e Klinikës Stomatologjike Universitare
Pedagoget efektivë të këtij Departamenti në vite kanë qenë si më poshtë : Prof. Dhori Pojani, Prof. Samedin Gjini, Dr.Shk. Ago Shameti, Prof. Ramazan Isufi, Dr.Andis Qendro, Dr. Esat Bardhoshi, Prof.Asc. Merita Bardhoshi, Dr.Shk. Fatmir Leli, Dr.Shk. Aldo Vangjeli, Dr.Shk. Rozela Xhemnica, Dr.Shk. Alketa Qafmolla, Dr.Shk. Silvana Bara. Përveç pedagogëve efektivë procesi mësimor është realizuar dhe nga disa pedagogë të jashtëm.
Në këtë Departament aktualisht përfshihen lëndë paraklinike dhe klinike, të cilat zhvillohen në të gjitha ciklet e studimit të Fakultetit të Mjekësisë Dentare si dhe të Fakultetit të Mjekësisë.
Stafi akademik i këtij Departamenti përbëhet nga 9 pedagogë të brendshëm dhe 5 pedagogë të jashtëm. Procesi mësimor realizohet nëpërmjet përvetësimit të pjesës teorike dhe asaj praktike. Pjesa praktike realizohet në Klinikën Stomatologjike Universitare si dhe në Spitalin Francez QSUT “Nënë Tereza”, pa përjashtuar stafin ndihmës të tyre të përbërë nga mjekë ordinatorë si dhe personel infermieror.
Specializimet post universitare në këtë Departament kanë filluar që në vitin 1971, duke nxjerrë rreth 100 specialistë të kësaj fushe, megjithë stafin e pamjaftueshëm në vite të këtij Departamenti.
Për sa i përket aktivitetit spitalor, në vitin 1964 ky shërbim ishte bashkë me shërbimin e ORL me 10 shtretër. Pas viteve ‘70 ky shërbim ka funksionuar i pavarur dhe ka ardhur duke u rritur deri në ditët e sotme ku, falë përkushtimit të stafit të tij, ka arritur të realizojë ndërhyrje operatore të rangut Europian si për sa i përket rikonstruksionit OMF, traumatologjisë, onkologjisë, ashtu edhe estetikës faciale. Në shërbimin spitalor një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë kirurgët: Prof. Dhori Pojani, Prof. Samedin Gjini, Dr.Shk. Ago Shameti, Prof.Asc. Gafur Shtino, Prof. Ramazan Isufi, Dr.Andis Qendro, Dr.Esat Bardhoshi, si dhe mjekët ordinatorë: Dr.Jakup Vrioni, Dr. Algen Isufi, Dr.Arlind Myftari.
Në shërbimin ambulator përveç pedagogëve efektivë dhe jo efektivë një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë dhe kirurgët e mëposhtëm: Dr.Shk. Isufi Kasapi, Dr.Shk. Zhani Qirko, Dr. Gaqo Qano, Dr. Bani Prifti, Dr. Haxhire Bajraktari, Dr.Shk. Fatmir Leli, Prof.Asc. Merita Bardhoshi, Dr.Shk. Aldo Vangjeli, Dr.Shk. Alketa Qafmolla, Dr.Shk. Rozela Xhemnica, Dr.Shk.Silvana Bare, si dhe disa mjekë ordinatorë të rinj pranë kësaj Klinikës Stomatologjike Universitare.
Falë punës së palodhur të stafit të Kirurgjisë spitalore, të drejtuar nga Prof. Ramazan Isufi dhe aktualisht Dr.Andis Qendro, si dhe të stafit ambulatory, me përkushtimin e Prof.Asc. Merita Bardhoshi është arritur futja e metodave të reja të Kirurgjisë OMF, duke përmirësuar shërbimin ndaj pacientit.
Gjithashtu, nga shërbimi spitalor dhe ambulator mbulohet urgjenca ditore dhe 24 orëshe në sferën e kësaj kirurgjie.
Në zhvillimin e Kirurgjisë OMF Shqiptare kanë një kontribut të çmuar dhe mjaft specialistë në rrethe të ndryshme si: Dr.Abdulla Bilali në Shkodër; Dr.Lluke Gjidede në Vlorë; Dr.Sulo Shehu në Fier; Dr.Spiro Bimli në Korçë; Dr. Kujtim Lika, Dr. Kapllan Mançe dhe Dr.Florian Bllaca në Durrës.
Veprimatria Botuese
Pas viteve 2000 nga ky staf janë realizuar mbi 100 referime në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu janë botuar mbi 100 artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit si më poshtë: Revista Stomatologjike Shqiptare, Revista Apollonia, Revista Stomatologjike Ballkanike, Revista e Kirurgjisë OMF Shqiptare si dhe në disa revista me faktorë të ndryshëm impakti.
Nga stafi akademik i këtij Departamenti janë botuar disa tekste bazë për studentët dhe specializantët e Fakultetit të Mjekësise Dentare dhe të Fakultetit të Mjekësisë: Kirurgjia Maksilofaciale, Kirurgjia OMF – 2(dy) vëllime; Implantologjia Orale; Atlasi i Kirurgjisë OMF; si dhe revista e Kirurgjisë OMF Shqiptare.
Veprimtaria Kërkimore Shkencore
Kjo veprimtari e ka zanafillën në vitet ’70, ku filluan të realizoheshin doktoraturat e para në topika të ndryshme të kësaj fushe si më poshtë: Në korrigjimin e defekteve të lindura të buzës dhe të qiellzës, në trajtimin e gjendrave të pështymës, në onkologji, traumatologji, kistat e nofullave , infeksionet OMF, implantologjinë orale etj. Kjo veprimtari është në vazhdim e sipër dhe një numër doktoraturash janë në fazat përfundimtare të tyre.
Departamenti i Kirurgjisë OMF ka përgatitur 3 Profesorë , 2 Profesorë të Asociuar, mbi 15 Doktorë Shkencash dhe me dhjetra Mastera e specializantë.