Ky bashkëpunim konsiston në organizimin e një Projekti të përbashkët për “Edukimin Shëndetësor dhe Promocionin mbi shëndetin dentar dhe oral në fëmijët e çerdheve, kopshteve dhe shkollave 9 vjeçare të Tiranës”. Projekti do të realizohet me angazhimin e studentëve të FMD, kryesisht të viteve të larta, të stafit akademik dhe drejtuesve të dy institucioneve. Një rol të rëndësishëm do të ketë në këtë projekt edhe “Shoqata e Dentistrisë Pediatrike Shqiptare”, me kryetare Dr. Shk. Manola Kelmendi.
Në datën 11 tetor 2017, në ambjentet e Bashkisë së Tiranës, u realizua një takim ndërmjet Kryetarit të Bashkisë, Z. Erion Veliaj, Dekanes, Prof. Asoc. Edit Xhajanka, dhe Zv. Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Prof. Vergjini Mulo. Në takim merrnin pjesë dhe një grup studentësh ekselentë, pjesmarrës aktivë në projektin e mësipërm, si dhe koordinatorja e studentëve për projekte të ndryshme sociale, Dr. Neada Hysenaj.
Pas diskutimit mbi detajet e projektit, u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi ndërmjet FMD dhe Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë mori përsipër personalisht ndjekjen e projektit dhe, sigurisht, që marrëveshja do të materializohet me fillimin e vitit akademik 2017-2018. Ky projekt do t’i shërbejë jo vetëm ngritjes së nivelit të profilaksisë dhe promocionit në fëmijët 0-18 vjeç të rrethit të Tiranës, por edhe nxjerrjes së treguesve statistikorë aktualë për Shqipërinë dhe indekseve lidhur me sëmundshmërinë karioze dhe defektet dentare në këtë grupmoshë.
Duke falenderuar stafin e Bashkisë, studentët dhe gjithë personat e përfshirë në projekt, urojmë që bashkëpunimi i Fakultetit të Mjekësisë Dentare me Bashkinë e Tiranës të jetë sa më i suksesshëm dhe t’i shërbejë brezit të ri.